Granit Xhaka largohet zyrtarisht nga Arsenali dhe transferohet në Gjermani, në klubin e Bayer Leverkusen, transferim që u kompletua për shifrën e 25 milionë eurove. Në “Bayarena”, mesfushori nënshkroi një kontratë 5 vjeçare, të vlefshme deri në verën e 2028-tës.
Kësisoj, teksa do të nisë nga përgatitjes e sezonit të ri nën urdhërat e trajnerit Xabi Alonso, Xhaka i dha fund epokës së tij 7 vjeçare në radhët e Arsenalit. 30 vjeçari zbarkoi për herë të parë në Londër në 2016-tën për shifrën e 45 milionë eurove, që klubi londinez i pagoi në arkat e Borussia Monchengladbach.
Me Arsenalin, Xhaka luajti 297 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shënoi 23 gola, e shërbeu 29 asistime për shokët e ekipit. Aventura në “Emirates” është shoqëruar gjithashtu edhe me 4 trofe, 2 FA Cup dhe 2 Superkupa të Anglisë.
Përgjatë 7 edicioneve të kaluara me 13 herë kampionët e Premier League, Xhaka nuk e ka diskutuar asnjëherë formacionin titullar, mirëpo situata nuk po dukej më e njëjta përgjatë kohëve të fundit. Arsenali po investon në merkato dhe mesfusha është një repart që po rinovohet thuajse tërësisht, me klubin që ka vendosur t’i besojë më tepër futbollistëve në moshë të re. Për këtë arsye, formacioni për Xhakën filloi të vendosej në diskutim, e kësisoj, mesfushori nuk e pa të udhës që të ulej në stol dhe t’i ndiqte ndeshjet nga bankina, por vendosi të ndërrojë ambient, e të transferohet në një skuadër, kur të jetë sërish i rëndësishëm.