Golden State barazon serinë e finales, fiton ndeshjen e dytë ndaj Torontos!

Sport

Golden State Warriors kanë arritur të barazojnë në 1-1 serinë e finales së madhe të NBA, pasi mposhtën në ndeshjen e dytë, kampionët e ‘Konferencës së Lindjes’, Toronto Raptors. 109-104 ishte rezultati final i takimit, me skuadrën kanadeze që nuk ia doli të shfrytëzonte si duhet faktorin fushë. Kawhi Leonard i Raptors ishte në fakt shënuesi më i mirë i ndeshjes me 34 pikë, teksa dha kontributin e tij edhe me 14 rikuperime të topit nën tabelë. Megjithatë, këto shifra nuk mjaftuan që lideri i Torontos të shmangte humbjen e skuadrës së tij. Tek Golden State, Klay Thompson realizoi 25 pikë, ndërsa Steph Curry u ndal në shifrën e 23 pikëve.

Paraqitje mjaft të mirë bëri përsëri Draymond Green, që ishte pranë realizimi të një tjetër ‘triple-double’, me 17 pikë, 9 asiste dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë. Toronto udhëhiqte takimin me 5 pikë avatanzh pas dy periodave të para, por në pjesën e tretë, Warriors ndryshon gjithçka, pasi e fituan me rezultatin e pjesshëm 34-21. Pavarëisht përpjekjeve të lojtarëve të Torontos për të rimarrë avantazhin, kampionët në fuqi të Warriors ia dolën të neutralizonin si duhet në shumicën e kohës Kyle Lowry-n, që ishte edhe lojtari që organizonte pasimet e Raptors. Tashmë Golden State do të ketë shansin të zhvillojë dy ndeshje në shtëpi, ndërsa misioni për Toronton mund të komplikohet ndjeshëm.