Sulmuesit shqiptarë të papërmbajtshëm në gola gjatë fundjavës që lamë pas, në kampionatet e Europës që kanë startuar. Dy realizime erdhën nga Superliga zvicerane, që keni mundësi ta ndiqni çdo javë në TRING SPORT me ndeshjet më kryesore.
Shkëlzen Gashi u rikthye të jetë protagonist me njw eurogol për Bazelin, në fitoren 3-2 në fushën e Grasshopers, ish-ekipit të sulmuesit kuqezi. Ashtu si në dy sezonet e kaluara, edhe këtë herë 26-vjeçari jep sinjale se do të kërkojë të jetë sërish “Këpuca e Artë”. Ndërkohë që Bazeli i tij kryeson me pikë të plota pas dy javëve.
Në të njëjtat gjurmë me Gashin u shfaq Armando Sadiku, i cili shënoi nga pika e bardhë e 11-metrave në barazimin me Vaduzin që fiksoi Zyrhu, në radhët e të cilit luajtën si titullarë edhe Kukeli e Xhimshiti.
Në Kroci është i pandalshëm edhe Bekim Balaj, autor i një dygolëshi në ndeshjen e javës së dytë ndaj Zagrebit. Sulmues shqiptar shënoi në festivalin e golave që si përfundim solli një tjetër barazim 3-3 për Rijekën pas atij me Slaven Belupo. Balaj pati realizuar edhe një javë më parë, teksa kjo dopietë e bën atë sulmuesin më rezultativ kuqezi në këtë fillim të edicionit futbollistik në Europë.
Gola me firmë shqiptare kanë ardhur edhe nga Letonia, aty ku shkodrani Ndue Mujeci me një dopietë i ka dhënë fitoren dhe kreun ekipit të tij, Ventsplis, pas 12 ndeshjeve të luajtura.