Gola shqiptarë në mesjavën europiane. Herolind Shala ka ndërruar ekip, por jo zakonin e tij. Sulmuesi shqiptar që aktivizohet në Çeki me Slovan Liberec ka shënuar sërish, për t’i dhënë fitoren ekipit të tij në ndeshjen e parë eliminatore të Europa League. Shala, i hedhur në fushë pjesën e dytë, ka qënë njeriu i fitores për ekipin e tij përballë ekipit izraelit Shmona. Shqiptari ka shënuar një gol mjaft të vyer për Liberec në minutën e 84′, duke i dhënë kështu fitoren në ndeshjen e parë ekipit çek, ku lojtari është i huazuar për këtë sezon.
Një nga lojtarët shqiptarë të rinj më të fortë në qarkullim Dionis Avdijaj, i cili aktivizohet te austriakët e Sturm Graz ka qenë protagonist në ndeshjen e sotme të humbur 2-3 nga ekipi i tij pasi fillimisht ka shënuar golin e barazimit të 1-1 në minutën e 21-të dhe në minutën e 69-të ka marrë kartonin e dytë të verdhë duke e lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, është aktivizuar 90 minuta në ndeshjen që ekipi i tij Paok fitoi ndaj Trnavës në Europa League. Ekipi grek fitoi me rezultatin 1-0, edhe pse luajti qysh nga minuta e 2′-të me një lojtar më pak pasi mbrojtësi Vitor u ndëshkua me karton të kuq. Kaçe ishte një nga lojtarët më të dalluar në fushë, teksa forma e tij vazhdon të jetë gjithmon në rritje.
Debutim në Europë bëri ede Sokol Cikalleshi, i cili me ekipin e tij Basaksehir ka luajtur përballe AZ Alkmaar dhe ndeshja ka përfunduar 2-0 në favor të holandezëve me sulmuesin shqiptar që nuk ka arritur të lërë shenjë, i penalizuar edhe nga fakti se ekipi i tij luajti pjesën më të madhe të lojës në inferioritet numerik.