Sa herë shënon, Armando Sadiku realizon gola me peshë. I tillë ishte ai që sigloi sulmuesi kuqezi për Vaduzin, në ndeshjen e javës së 22-të të kampionatit zviceran kundër Grasshopersit. Me golin e tij numër 8 në këtë sezon, elbasanasi i siguroi një pikë të vyer skuadrës nga Lihtenshetini, që barazoi 1-1 një takim shumë të vështirë me Grasshoppers. Falë këtij goli, Sadikut është përfshirë edhe në formacionin më të mirë të javës në Zvicër
Ndërkaq, në fundjavë festoi golin e parë amerikan edhe Shkëlzen Gashi, megjithëse ishte thjesht një miqësore ndaj Arizona Junaited. Saktësisht në minutën 63-të të takimit, Gashi mori një pasim në të djathtë të zonës dhe pastaj nuk e pati aspak të vështirë të dërgonte topin në rrjetë me një diagonale, pasi e kaloi mes këmbëve të portierit. Vetë Gashi është shprehur tejet i lumtur me paraqitjen, duke thënë se ishte “Punë shumë e mirë e skuadrës dhe se tani është radha e përqendrimit për ndeshjen hapëse të sezonit të ri më 6 mars”.
Po ashtu edhe mesfushori nga Kosova, Eros Grezda ka vazhduar të jetë protagonist te skuadra e tij, Lokomotiva e Zagrebit. Ai tregoi edhe një herë cilësitë e tij, duke realizuar dy gola në sfidën e fituar 3-1 ndaj Osijek. Deri më tani, Grezda ka shënuar 8 herë në Kroaci, duke qenë një nga lojtarët shqiptarë më në formë gjatë kësaj periudhe.