Gleison Bremer ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Juventusin. Paketa e vjetër e brazilianit ishte e vlefshme deri në verën e 2027-tës, por në marrëveshjen e përditësuar, por shoqëria bardhezi dhe lojtari, kanë firmosur kartat edhe për një tjetër sezon, deri në verën e 2028-tës.
Sikurse është bërë me dije nga mediat e huaja, nuk do të ketë ndryshim të termave financiarë, me lojtarin që do të përfitojë aq sa përfitonte në kontratën e vjetër, 5 milionë euro në sezon, plus një milionë euro të tjera, do të arkëtohen në formën e bonuseve.
Ishte parashikuar që rinovimi të kryhej përpara përfundimit të këtij viti dhe në fakt kështu ka ndodhur.
Në fjalët e tij të para pas këtij rinovimi, Bremer është shprehur i lumtur dhe i emocionuar. Braziliani ka thënë se Juventusi është si një familje dhe kjo ka qenë pikërisht arsyeja përse ai vendosi të vishte fanellën bardhezi.
Sa i përket këtij sezoni futbollistik, Bremer ka thënë se grupi është i bashkuar dhe pavarësisht forcës së Interit, Juventusi do të provojë deri në fund për titullin kampion.
Bremer, u bë pjesë e Juventusit në verën e 2022-shit, atëherë kur shërbimet e tij u siguruan nga Torino për vlerën e 41 milionë eurove. Që prej atëherë, 26 vjeçari ka luajtur një rol të rëndësishëm në prapavijën bardhezi, teksa vendi i titullarit është i padiskutueshëm për të.
Lojtarët e tjerë që kanë rinovuar kontratën Juventusin përgjatë kohëve të fundit janë Gatti, Fagioli, Locatelli, Miretti, apo edhe Yildiz. Megjithatë, kjo fushatë nuk do mbyllet me Bremer. Lojtarët e tjerë që pritet të rinovojnë me klubin bardhezi janë Adrien Rabiot dhe Alex Sandro.