Gjyqtari i Turqi-Shqipëri ka një episod kurioz nga e kaluara

Sport

Shqipëria luan të premten e 11 tetorit në ora 20:45 në Stamboll, përballjen e shtatë eleminatore të vlefshme për Euro 2020. Teksa përballë kuqezinjve do të jetë kombëtarja e Turqisë. Bëhet fjalë për një kundërshtarë mjaft të vështirë për djemtë e drejtuar nga Edi Reja, që janë të “dënuar” për të fituar nëse duan të vazhdojnë ëndrrën evropiane. Një rezultat tjetër do të sillte daljen nga vorbulla e skuadrave që do të tentojnë kualifikimin, në një kohë kur pas 6 takimesh në grupin H, kuqezinjtë ndodhen në kuotën e 9 pikëve.
Tri ditë nga ndeshja, UEFA ka caktuar edhe katërshen e gjyqtarëve që do të mbajë drejtësinë në Stambol. Konkretisht janë përzgjedhur gjyqtarë nga Rumania, të kryesuar nga Ovidiu Hategan. Ndërsa ndihmës të 39-vjeçarit do të jenë Octavian Sovre dhe Sebastian Gheorghe, teksa i katërt është Sebastian Coltescu. Në fakt, Hategan mund të thuhet se i ka drejtuar kuqezinjtë edhe më përpara, saktësisht më 11 shtator të vitit 2012, në sfidën elemiantore të Botërorit kundër Zvicrës. Ndeshje e fituar nga helvetët me shifrat 2-0. Gjithashtu, rumuni gjykoi edhe sfidën e javës së parë të Champions Leagues, midis Borussia Dortmund e Barcelonës, takim i përfunduar në barazim 0-0.

Për më tepër Hategan mbahet mend edhe për episodin kurioz të ndeshjes së Nations League midis Holandës e Gjermanisë në nëntor të 2018-s, në pushimin e të cilës mori vesh se e ëma ishte ndarë nga jeta. Moment kur u ngushëllua në fushë nga mbrojtësi holandez Virgil Van Diijk, ndërkohë që ai gjeti forca të përfundonte gjykimin e sfidës që u mbyll në barazim 2-2.