Berat Gjimshiti është duke u shfaqur gjithmonë e më shumë protagonist tek Kombëtarja shqiptare, por gjithashtu është një pikë force te prapavija e Atalantës në Serinë A. Vitin e kaluar, mbrojtësi kuqezi bëri një kampionat jo në nivel të lartë, megjithëse ishte i kushtëzuar nga dy faktorë: dëmtimi i fillimit të sezonit dhe mungesa në ndeshjet ku duhej vazhdimësi dhe lidership në rëpartin mbrojtës. E të mendosh që në fillim të këtij sezoni, ai gjendej në një sitautë ku konsiderohej zgjedhje e pestë, pra praktikisht një rezervë luksi, përkundër faktit që nuk kishte ritmin e duhur. Mirëpo ja që mungesa e një qendrori të ri e riktheu Gjimshitin sërish në vijën e parë, duke shkuar përtej cdo pritshmërie. Tashmë ai po shfaqet përherë e më solid, i vëmendshëm dhe sidomos një titullar i palëvizshëm.
Nga 7 aktivizime që ka bërë me kohë të plotë, për 5 herë Atalanta ka mbetur e pacenuar. Mund të thuhet që nëse mungon Gjimshiti me paraqitjet e tij me nivel në qendrën e mbrojtjes së bergamaskëve, atëherë e gjithë kështjella e skuadrës bie, sic ndodhi në Frozinone dhe me Lacion. Kështu, synimi kryesor është që si ai, ashtu edhe i gjithë reparti, të mos kryejnë vazhdimisht gabime që mund të rezultojnë fatale në termat e rezultateve.
Sigurisht, deri tani, kapiteni i Shqipërisë ka treguar se është më i përshtatshëm për të bërë qendronin, megjithëse nuk mund të përsëritet gjithcka perfekte që ai bëri në sezonin 2020-2021, kur zhvilloi vitin më të mirë. Por mund të thuhet se e gjitha mbrojtja e Atalantës, tashmë është e varur nga Gjimshiti, i cili nëse do të ruajë ekuilibrin e duhur mes paraqitjeve në kampionatit italian dhe Kombëtares, atëherë mund të bëjë vërtet diferencën.