GJIMSHITI, PJESE E FORMACIONIT ME TE DALLUAR TE UCL

Sport

Berat Gjimshiti vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij spektakolare me fanellën e Atalantës. Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë po e konfirmon ndeshje pas ndeshjeje si në kampionatin italian, ashtu edhe në Champions Ligë. Ai ishte i pakalueshëm në duelin e së mërkurës që bergamaskët e fituan 2-0 në transfetë  ndaj Shtutgartit, sfidë e vlefshme për javën e 4-t të fazës së ligës.

Gjimshiti u aktivizua si perherë titullar, teksa në fund u zgjodh lojtari më i mirë i ndeshjes nga “Sofa Score”. Shqiptari u vlerësua me notën 8, duke regjistruar 51 pasime të sakta nga 56 në total.  Ai fitoi 6 duele me kundërshtarët, si dhe spastroi 3 herë zonën. Interesant është fakti se Interi dhe Atalanta janë 2 skuadrat e vetme që nuk kanë pësuar gol deri tani në Ligën e Kampionëve, por që gjithashtu bashkë me Liverpulin, Sportingun, Brestin dhe Monacon, edhe nuk kanë pësuar ende humbje në 4 ndeshje të zhvilluara. Kujtojmë që Gjimshiti është autor edhe i një goli në Champions, pasi ia doli të gjejë rrugën e rrjetës në ndeshjen e javës së 2-të kundër Shakhtar Donetsk.