Berat Gjimshiti vazhdon të jetë një nga pikat e rëndësishme të mbrojtjes së Atalantës në Serinë A. Lojtari shqiptar bëri një paraqitje përgjithësisht të mirë në ndeshjen e të hënës ndaj Romës, aq sa sa faqja e kanalit ndërkombëtar “Eurosport” e ka vlerësuar paraqitjen e tij me notën 6.5, duke pranuar se futbollisti shqiptar ndoshta meritonte dhe më shumë. Gjithsesi nuk kanë munguar as vërejtjet, sidomos për faktin që humbi nga mbulimi Florenzin, në rastin e shënimit të golit të dytë të Romës. Ndërsa për pjesën tjetër, gjithmonë sipas “Eurosport”, ai ishte hija e Dzeko, të cilin praktikisht e asgjësoi pasi boshnjaku nuk mundi të ishte i rrezikshëm në asnjë rast. Pak a shumë në të njëjtat nivele vlerësimi ka qenë edhe nga faqja “Tuttomercatoëeb”, që ka shkruar se Gjimshiti ishte surpriza e bukur e mbrëmjes. “Pas testeve të shkëlqyera kundër Frosinone dhe Hapoel, u konfirmua. Gjithashtu në ballafaqimin e drejtpërdrejtë me Dzekon, një lojtar shumë i frikshëm, doli fitues”, ka theksuar portali.
Me siguri që një përshtypje të mirë, Gjimshiti ka bërë edhe në sytë e Christian Panucci, i cili ishte i pranishëm të hënën në “Olimpik” për ta vëzhguar nga afër. Ish-romanisti, aktualisht teknik i kombëtares shqiptare, padyshim që ka konfirmuar faktin se numri 19 i Atalantës është një nga qendërmbrojtësit më në formë, sa i takon përfaqësueses. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë sa i takon portierit Etrit Berisha, i cili prej 3 ndeshjeve vijon të mbetet në stol, pasi Golini tani ka arritur të bindë Gasperinin për të qenë titullar. Dicka e pazakontë për Berishën, duke ditur që në dy sezonet e fundit i ka pasur ai “spaletat” e titullarit.