GJIMSHITI-GOL, E FESTON ME SE MIRI NDESHJEN E 200!

Sport

Një Sukses i rëndësishëm solli kualifikim në Europa League për Atalantën, që iu fal golit të Berat Gjimshitit për të pasur të drejtë përballë austriakëve të Sturm Graz. Kapiteni i përfaqësueses kuqezi shënoi në ndeshjen numër 200 me skuadrën bergamase, duke e bërë festën edhe më të bukur. Ky ishte goli i parë sezonal për qendërmbrojtësin shqiptar, që në të kaluarën ka realizuar edhe disa herë të tjera me fanelën e Atalantës, ndonëse ende po kërkon golin me Kombëtaren.
Në fund të sfidës, kapiteni i përfaqësueses shqiptare u zgjodh edhe lojtari më i mirë i kësaj përballje, teksa në intervistën e dhënë për “Sky Sport”, ndër të tjera deklaroi: “Ishte një ndeshje e veçantë, një ndeshje shumë e rëndësishme në Ligën e Evropës për të kaluar në raundin tjetër. Me shënimin e golit vendimtar ndihem mjaft i lumtur. Isha shumë krenar edhe para ndeshjes për 200 ndeshjet e arritura me këtë skuadër. Me të vërtetë do të thojë se përjetova një mbrëmje e veçantë, të cilën nuk do ta harroj kurrë. Ndeshjet në kampionat janë të vështira. Sigurisht që bëmë një paraqitje të mirë kundër Interit, fituam tani kundër Shturmit dhe nga sot duhet të mendojmë për Udinezen që do të jetë një ndeshje edhe më e vështirë”, ishin fjalët e Gjimshitit.
I pyetur nëse tani do të kërkojnë vendin e parë në grupin e Europa Ligë, ai u shpreh: “Duhet të përpiqemi të fitojmë edhe kundër Sportingut, por është një ndeshje që ia vlen të luhet me zemër kundër një ekipi të fortë. Megjithatë, ne do të përpiqemi të zëmë vendin e pare”. Mbrojtja e Atalantës ka gjashtë nga shtatë ndeshje në shtëpi që nuk pëson gol. Kjo, sipas Gjimshitit, do të thotë se “herën tjetër në ndeshjen që do të luajnë në shtëpi, do të përpiqen t’i bëjnë shtatë”.