Debutim krejtësisht për t’u harruar ai i Berat Gjimshitit në arenën e Champions League. Mbrojtësi i Kombëtares luajti për herë të parë në një kompeticion të tillë, duke qenë edhe shqiptari i vetëm që zbriti në fushë gjatë ndeshjeve të para të fazës së grupeve, përderisa Hysaj i Napolit vazhdon të jetë i dëmtuar. Mirëpo më keq nuk mund të shkonte për Gjimshitin dhe Atalantën, që u shkërmoqën me rezultatin 4-0 nga Dinamo e Zagrebit. Ashtu si edhe shokët e tij të repartit mbrojtës Toloi e Masielo, edhe shqiptari ka marrë një nga vlerësimet më të ulëta nga mediat italiane, që i kanë dhënë notën 5. Paraqitja e tij është konsideruar e dobët, megjithëse në minutat e fillimit e kishte nisur me një shpëtim të një rasti që mund të kishte rezultuar menjëherë fatal për bergamaskët.
Për të gjithë skuadrën e Atalantës që debutonte në Champions, ajo në Zagreb ishte një mbrëmje për t’u harruar. Siç pranoi edhe trajneri Gasperini pas ndeshjes, kroatët “u dhanë një mësim të mirë”. Tani mbetet të shihet sesa kjo tronditje do të ndikojë psikologjikisht në vazhim sa i takon ecurisë së kampionatit. Por edhe në 5 ndeshjet e tjera të grupeve të Champions.