Gjimshiti afër Champions: Donim të fitonim ndaj Juves!

Sport

Berat Gjimshiti u aktivizua për 90 minuta në ndeshjes së parafundit të këtij kampionati të Serisë A, kundër Juventusit, atje ku u morr barazimin me shifrat 1-1 ndaj bardhezinjve. Si një finale e fituar u duk kjo përballje për skuadrën nga Bergamo, që u ngjit e treta në renditje edhe falë humbjes së Interit në Napolit. Ndërkohë që në rast të një humbje të mundshme ndaj kryesuesve të Italisë, mund t’i thoshin lamtumirë pozicionimit në zonën e “Champions League”.Ky objektiv është më pranë se kurrë, ndërsa vetëm 90 minuta e ndajnë ekipin e Gasperinit nga arritja historike. Ndeshja e fundit do të jetë ajo ndaj Sasuolos, që gjendet pa asnjë objektiv në mesin e renditjes së kampionatit. Me një fitore që në letër duket e realizueshme, Atalanta nuk është tashmë në dorën e askujt tjetër, për arritjen historike të një pozicioni në zonën-Champions.

 


Megjithatë, mbrojtësi shqiptar Gjimshiti ka shfaqur paksa zhgënjim pas ndeshjes me Juventusin, në një deklaratë të dhënë për “Sky”: “Të them të vërtetën, unë shpresoja për një fitore në fakt, Pjesën e dytë nuk e kemi nisur aspak mirë, pasi nënvlerësuam disi situatën. Ne dëshironim që të fitonim dhe e bëmë mirë në pjesën e parë. Sidoqoftë, rëndësi ka që ndaj Juventusit treguam edhe një herë cilësitë tona, duke e vendosur në vështirësi. Na ngelet që tani të fitojmë ndaj Sasuolos, që do të jetë sfidë e vështirë, pasi kundërshtarët tanë shfaqën vlerat e tyre ndaj Romës. Mirëpo ne kemi detyrën të kurorëzojmë si duhet atë që kemi bërë përgjatë këtij sezoni”, kanë qenë fjalët e Gjimshitit, i cili dhuroi një tjetër paraqitje pozitive përballë Ronaldos me shokë, të cilëve në fund iu dorëzua zyrtarisht titulli kampion.