GJERMANIA, NAGELSMANN I KENAQUR ME GNABRYN

Sport

Një nga elementët e rilindjes së Bayern këtë sezon është rivitalizimi i karrierës së Serge Gnabry-t. Një vit më parë sulmuesi anësor dukej sikur kishte humbur grintën dhe stilin bashkë me kohën. Por starti i këtij viti futbollistik ka qënë i shkëlqyer duke ndihmuar bavarezët të fitojnë çdo ndeshje të zhvilluar deri tani. Këto performanca nuk kanë mbetur pa u vënë re nga traineri i Kombëtares gjermane, Julian Nagelsmann. “Ai është në formë shumë të mirë në këtë moment dhe ka disa arsye për këtë: Së pari kondicioni fizik. Ai nuk ka asnjë problem aktualisht dhe është fizikisht i fortë. Kjo është shumë e rëndësishme. Gjithashtu ai po përfiton nga fakti që Bayern nuk ka shumë lojtarë në pozicionin e tij. Eshtë pozitive që ai ka lirshmëri në lojë dhe shpresoj që ai ta bëjë këtë edhe me në” tha Nagelsmann. Ai pret një shtytje të re nga Gnabry në sfidat e rradhës për Gjermaninë, ashtu si ai po bën te Bayern.