Gjermania ka zgjedhur menjëherë pasuesin e Hansi Flick

Sport

Julian Nagelsmann është përzgjedhur si pasuesi i Hansi Flick në stolin e Kombëtares Gjermane të Futbollit. Në sezonin e kaluar, rrugëtimi i Nagelsmann u ndërpre përgjysmë, kur ai u shkarkua nga detyra si trajner i Bayern Munich.

Gjatë kësaj kohe, 36 vjeçari është komentuar se mund të merrte drejtimin e disa skuadrave me peshë të kontinentit, duke filluar me Chelsea, Tottenham, apo edhe PSG. Megjithatë, asgjë e tillë nuk ndodhi, teksa Nagelsmann po bëhet gati të fillojë një erë të re në karrierë.

Thënë këtë, ish-timonieri i Leipzig, ishte i lidhur me bavarezët në një marrëveshje që skadonte në 2026-tën. Mirëpo, ndonëse ishte i shkarkuar, ai vazhdonte të paguhej nga Bayerni plot 7 milionë euro në vit. Megjithatë, tani që do të marrë drejtimin e ekipit përfaqësues, Nagelsmann ka arritur një marrëveshje me Bayernin dhe ka pranuar një reduktim të pagës. Deri në momentin kur të fillojë Europiani, në verën e 2024-tës, Nagelsmann do përfitojë vetëm 4 milionë euro nga kampionët e Bundesligës, e më pas do ta ndërpresë përfundimisht kontratën me ta.

Gjatë kësaj kohe, 36 vjeçari do të ketë mundësi të punojë me ekipin përfaqësues, në mënyrë që të ndërtojë një skuadër konkuruese për finalet e Euro 2024-tës, që zhvillohet pikërisht në Gjermani.

Pasi kanë zhgënjyer në kompeticionet e fundit, këtë herë, në shtëpinë e tyre, panzerat, e kanë detyrim të zhvillojnë një garë dinjitoze dhe të japin maksimumin për të fituar trofeun. Një Europian, Gjermania nuk e fiton që prej vitit 1996-të, atëherë kur turneu u zhvillua në Angli.