Nick Woltemade është një nga surprizat e bukura të kësaj vere. Sulmuesi gjerman po e sheh emrin e tij të flitet nëpër mediat sportive të Europës gjithmonë e më shumë, duke qenë në shënjestër të shumë klubeve me emër në këtë merkato. Një shtatlartë 1,98 metra i gjatë, ai ia doli që pas një nisjeje të beftë të sezonit në radhët e Stuttgart-it, të gjente formën e tij më të mirë, duke e mbyllur me 12 gola e 2 asiste në 28 ndeshje të zhvilluara në kampionat. Ndërsa në ‘Kupën e Gjermanisë’, ai dha një kontribut të vyer me 5 realizime në po kaq ndeshje të luajtura, 1 prej të cilave në finalen e fituar ndaj Arminia Bielefeld. Woltemade ka vijuar të shkëlqejë edhe në ‘Kampionatin Europian’ për 21-vjeçarët, duke regjistruar 6 gola e 3 asiste në rrugëtimin drejt finales me ‘panzerat’. Ky shkëlqim i tij nuk ka kaluar pa u vënë re, sidomos prej faktit që Stutggart e transferoi në verën e 2024-ës me parametra zero nga skuadra e Werder Bremen, aty ku edhe sulmuesi është formuar në ekipet zinxhir. 23-vjeçari tani duke shumë pranë një hapi të rëndësishëm në karrierë, pasi mediat gjermane konfirmojnë çdo ditë avancimin e bisedimeve për transferimin e tij tek kampionët në fuqi të Bayern Munich. Tek Stuttgart-i kërkojnë të rezistojnë ndaj ofertave që do të vijnë për gjigandin e sulmit, duke shfrytëzuar faktin që në marrëveshjen mes palëve, aktualisht nuk ka një klauzolë largimi, ndërkohë që vetë lojtari ka firmosur për të qenë pjesë e klubit deri në vitin 2028. Kjo i komplikon gjërat për skuadrat që kërkojnë afrimin e tij, por tek Bayern e kanë fuqinë ekonomike për të bërë realitet një lëvizje të tillë. Në Gjermani, burime pranë lojtarit deklarojnë se ai do të ishte shumë i lumtur për ta nisur sezonin e ri si lojtar i Bayern-it dhe arritja e një marrëveshje për termat personal mes tij dhe klubit, nuk do të jetë një problem. E nëse vullenti i lojtarit nuk do të ndryshojë deri në fund të verës, atëherë Stuttgart-i mund ta ketë të vështirë të detyrojë Woltemade të qëndrojë si pjesë e skuadrës. Gjithësesi, drejtuesit e klubit kanë përsëritur se synimi është që 23-vjeçari të jetë sulmuesi kryesor i skuadrës në sezonin e ri dhe për të ndryshuar këtë, do të duhej një ofertë që i kalon 40 milionë eurot.
