Emri i Timo Werner duket se do të vazhdojë të bëjë jehonë për një kohë të gjatë në merkaton verore. Sulmuesi gjerman është objektivi kryesor i shumë klubeve të mëdha në Europë, me Liverpool-in e Jurgen Klopp që së fundmi është parë si skuadra më e favorizuar për të marrë shërbimet e 24-vjeçarit. Në lidhje me këtë çështje, ka folur së fundmi edhe ish-trajneri i tij, Ralf Rangnick, i cili konsiderohet si një nga ata që e solli Werner mes më të mirëve në rolin e tij. Rangnick u shpreh se pavarësisht të gjitha alternativave që lojtari ka, Liverpool mbetet ekipi më i përshtatshëm për të zhvilluar më tej lojën e tij. Shefi i zhvillimeve sportive tek ‘Red Bull’ shtoi se Werner është një sulmues që di se si të përshtatet me skuadrën ku luan, por duke parë karakteristikat që ka ekipi i drejtuar nga Jurgen Klopp, atëherë për Werner do të bëhej më e thjeshtë nëse do të vishte fanellën e ‘the reds’. Rangnick theksoi ndryshimin e shpejtë të pozicioneve dhe goditjet e forta si dy nga armët më të mira të Werner. Me Klopp, ai beson se sulmuesi do të ketë mundësinë të zhvillojë edhe më tej leximin e lojës, madje do të shndërrohej në një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Liverpool-it. Vetë Rangnick është përfolur shumë së fundmi se mund të rikthehet në detyrën si trajner, pasi prej kohësh ka kontakte mes tij dhe klubit të Milanit, që beson se gjermani është njeriu i duhur për të nxjerrë kuqezinjtë nga kriza e disa viteve. Megjithatë, për momentin nuk ka asgjë zyrtare, me pandeminë e COVID-19 që duket se i ka shtyrë planet e të dyja palëve.