Manuel Neuer festoi të martën datlindjen e tij të 32-të dhe e bëri këtë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke iu rikthyer stërvitjes pas 6 muajsh ndalesë. Portieri i Bayernit po lufton me kohën në mënyrë që të riaftësohet plotësisht për të qenë prezent në Kupën e Botës Rusi 2018-të. Joachim Low i ka premtuar atij një vend në kombëtare, gjithmonë nëse ai ia del të jetë në formë të mirë fizike për ta përballuar kompeticionin. I lënduar që prej shtatorit për shkak të një frakture në shputën e këmbës, Neuer kreu të martën një pëprjekje serioze për t’u rikthyer me grupin.
Bayerni njoftoi se ai zhvilloi dy seanca vrapimi 10-minutësh, sigurisht nën kujdesin e trajnerit fizik Thomas Wilhelmi. 32-vjecari cilësohet si një nga portierët më të mirë në botë. Katër vite më parë, ai ishte vendimtar në triumfin gjerman në Brazil ndërsa nën urdhërat e Pep Guardiolës te Bayerni, u kthye në një portier polivalent, i gatshëm të merrte pjesë në lojë duke dalë tërësisht nga porta e duke pasuar me lojtarët e tjerë të skuadrës sikurse të ishte një mesfushor. Sipas buletinit mjekësor Neuer mund të riaftësohet mirë fizikisht deri në javën e dytë të muajit prill dhe nëse gjithcka shkon sipas planeve ai do mund të jetë gati për kombëtaren. Në vend të tij, Joachim Low ka alternativat Ulreich, ter Stegen, Leno dhe Kevin Trapp.