GJERMANI, NAGELSMANN I SHQETESUAR PER SCHLOTTERBECK

Sport

Ndërkohë që një tjetër lojtar i Dortmundit mungon, Julian Nagelsmann duhet të presë ende për të kuptuar nëse mund ta llogarisë Nico Schlotterbeck për eleminatoren kundër Luksemburgut. Mbrohtësi verdhezi rrezikon të mos jetë i gatshëm për shkak të dëmtimit. Edhe të mërkurën, ai mungoi në stërvitjen e përbashkët të Kombëtares në Wolfsburg.

Schlotterbeck iu bashkua Gjermanisë të hënën me një plagë në këmbë, të cilën e mori në transfertën e Dortmundit ndaj Hamburgut. Nëse arrin të rikuperohet me kohë, Schlotterbeck do të luajë në qendër, përkrah Jonathan Tah. Përndryshe, një tjetër qendërmbrojtës i Dortmundit, Waldemar Anton, është gati ta zëvendësojë. Të enjten paradite, Nagelsmann do të zhvillojë stërvitjen e fundit nga ku do të kuptohet nëse Schlotterbeck do të jetë ose jo pjesë e saj.

Karim Adeyemi do të mungojë në Luksemburg për shkak pezullimi. Për ndeshjen e 12 me Kombëtaren ai duhet të presë të paktën deri të hënën, kur Gjermania të përballet në Leipzig me Sllovakinë në atë që pritet të jetë “Finalja” për kualifikimin e drejtpërdrejtë në Kupën e Botës. Sllovakët, të cilët e befasuan Gjermaninë me fitoren 2-0 në ndeshjen e pare, janë aktualisht me pikë të barabarta, 180’ nga fundi i ndeshjeve në grupe.