Gjermani, Leipzig dhe Monchengladbach sigurojnë ‘Champions’-in në ndeshjen e fundit

Sport

‘Bundesliga’ ka mbyllur zyrtarisht sezonin 2019/20, teksa u përfunduan edhe ndeshjet e javës së fundit të kalendarit. Me Bayern që kishte siguruar titullin kampion, vëmendja ishte për skuadrat që luftonin për një vend në Europë. Leipzig, Monchengladbach dhe Bayer Leverkusen diskutonin mes tyre 2 vende për në ‘UEFA Champions League’. Të treja skuadrat bënë detyrën, pasi morën fitore në ndeshjet respektive, ndonëse vuajtën jo pak për të marrë 3 pikët. Leipzig mposhti 2-1 në transfertë skuadrën e Augsburg, ndërsa me të njëjtin rezultat, Borussia Monchengladbach triumfoi në shtëpi ndaj Hertha Berlin. Pikërisht Leipzig dhe Monchengladbach do të jenë pjesë e elitës së Europës në sezonin e ardhshëm, duke iu bashkuar Bayern Munich dhe Dortmund, që e kishin siguruar më herët prezencën e tyre në ‘Champions League’. Monchengladbach rikthehet të luajë mes më të mirëve të Europës për herë të parë që nga sezoni 2016/17. Leverkusen, që e mbylli kampionatin me 2 pikë më pak se Monchengladbach i vendit të katërt, do të duhet të kënaqet në sezonin e ardhshëm me ‘Europa League’-ën, bashku me Hoffenheim dhe Ëolfsburg, me këta të fundit që fillimisht duhet të kalojnë nga faza ‘play-off’. Interesante ka qenë edhe lufta për t’i shpëtuar zonës së rënies nga kategoria. Paderborni e kishte mbyllur kampionatin e saj në vendin e fundit, me Werder Bremen dhe Dusseldorf që diskutuan në 90 minutat e tyre të fundit se cila do të kishte mundësinë të luante në ‘play-out’. Dusseldorfi vinte i avantazhuar me 2 pikë, por Union Berlin respektoi kampionatin, duke e mposhtur pastër 3-0. Kjo i dha mundësinë Werderit të siguronte një fitore ‘jetike’ ndaj Koln, që përfundoi me rezultatin tenistik 6-1. Kështu, Dusseldorf do të rikthehet në kategorinë e dytë të futbollit gjerman në sezonin e ardhshëm, ndërsa Werder do të diskutojë qëndrimin e saj në fazën ‘play-out’ me skuadrën e Heidenheim, që e mbylli në vendin e tretë të ‘Bundesliga 2’.