Gjermani, Bosz lavdëron Kai Havertz, thotë se është inteligjent dhe di se si t’i rezistojë presionit

Sport

Kai Havertz është lidhur shumë së fundmi me një transferim tek skuadra Chelsea-t, që duket e vendosur për të paguar deri në 76 milionë euro për të marrë shërbimet e talentit gjerman. Në fakt, Havertz prej muajsh përflitet në lajmet e merkatos, pasi shihet si një nga ata futbollistë që do të jetë mes më të mirëve të botës në të ardhmen, ndërkohë që Chelsea ka nxituar për të avancuar tratativat me skuadrën Bayer Leverkusen. Në lidhje me 21-vjeçarin ka folur së fundmi edhe trajneri i ‘aspirinave’, Peter Bosz, i cili nuk kursen elozhet për lojtarin e kombëtares gjermane. Tekniku i Leverkusen u shpreh se Havertz është një lojtar mjaft inteligjent, i cili di se si të menaxhojë situata nga më të vështirat në fushën e lojës. Bosz mendon se është mëse normale që Havertz të jetë lojtari i parë që kritikohet sa herë që Leverkusen humbet një ndeshje, pasi ai mbetet një nga lojtarët më të mirë të skuadrës dhe padyshim që tifozët presin shumë prej tij. Por edhe pse është vetëm 21 vjeç, Bosz thotë se Havertz di se si të përballojë presionin e madh që ka mbi vete. Trajneri i skuadrës gjermane zbuloi një fakt interesant, ku nga 20 kërkesa që mediat kishin bërë për intervista tek Leverkusen, 18 ishin për Havertz. Vetë Bosz tha se është përpjekur ta ruajë lojtarin e tij nga të tilla situata, pasi për të, Havertz duhet të mendojë vetëm për fushën e lojës, e jo të përgjigjet për merkaton apo objektivat madhorë, që në fakt i kërkojnë media dhe tifozët prej tij. Gjatë sezonit që lamë pas, Havertz zhvilloi plot 44 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar 17 gola e duke shërbyer 9 asiste, çfarë e kthyen në lojtarin kryesor për skuadrën e Leverkusen.