Gjermani, Alexander Nubel gati të marrë vendin e Manuel Neuer

Sport

Çështja e rinovimit të kontratës së Manuel Neuer është kthyer në një problem serioz tek Bayern Munich. Gardiani i kombëtares gjermane është prej kohësh në bisedime me drejtuesit e klubit bavarez, por deri më tani nuk kanë gjetur dot një marrëveshje. Neuer kërkon një rinovim afatgjatë të kontratës së tij, por tek Bayern nuk kanë ndërmend të bëjnë diçka të tillë, për shkak edhe të moshës së madhe të portierit. Tashmë 34-vjeçar, Neuer nuk e shohin më si portierin e parë të bavarezëve në sezonet e ardhshëm. Madje kampionët në fuqi të Gjermanisë kanë arritur akordin me atë që pritet të jetë zëvendësuesi i tij. Alexander Nubel i Schalke lajmëroi gjatë janarit se kishte firmosur me Bayer Munich dhe do të transferohej gjatë verës si lojtar i lirë. Kjo, ka sjellë reagime të ashpra brenda të dyja klubeve. Tek Schalke janë ndjerë të tradhëtuar nga ky vendim i Nubel, që në fakt ngjason shumë me lëvizjen që bëri pikërisht Manuel Neuer në vitin 2011, kur braktisi ‘blutë’ për të luajtur me skuadrën bavareze. Drejt së njëjtës udhe është edhe Nubel. 23-vjeçari vlerësohet si një ndër portierët më të talentuar të kampionatit gjeman dhe madje pritshmëritë janë që ai në të ardhmen të jetë kandidati kryesor për t’u bërë portieri i parë i kombëtares gjermane. Gjithësesi, sezoni i ardhshëm do të jetë mjaft domethënës për Nubel, i cili në radhët e Bayern do të ketë mundësinë të provojë nëse është një mes më të mirëve në botë në rolin e tij.