Ai gol i parë i tij në fundin e ndeshjes së humbur 2-3 kundër Lajpcigut nuk kishte qenë i mjaftueshëm. Por gjatë kësaj fundjave ndaj Schalkes, KlausGjasula u rikthye në fushë më i frymëzuar se kurrë, duke arritur të shënojë golin që i dha Paderbornit një pike jetike në transfertë. Dhe mesfushori nuk i ka fshehur ndjekësitë e tij: “Luajta në Ventlis Arena për herë të parë dhe ishte vërtet e jashtëzakonshme. Fakti që shënova një gol tjetër dhe që u kthyem në shtëpi me një pikë, më bën të lumtur. Le të vazhdojmë kështu”, është shprehur fillimisht mesfushori shqiptar. Gjithsesi, ndeshja e tij nuk kishte nisur në kushte ideale. Për herë të parë në këtë sezon – përjashto pezullimin për shkak të kartonëve -, i ashtuquajturi ‘njeriu me helmetë’ nuk bënte pjesë në formacionin titullar.
“Natyrisht që jam i zhgënjyer kur nuk luaj. Por për shkak të një infeksioni gripal isha stërvitur vetëm 3 ditë. Prandaj nuk isha shumë në formë”, ka dashur të justifikojë zgjedhjen e bërë nga trajneri Steffen Baumgart. Por ja që hyrja e tij si zëvendësues dha efektin e dëshiruar. Pesë minuta pasi u aktivizua në vend të Abdelhamid Sabirit, u bë njeriu vendimtar. Gjasula ia doli të fitojë dyluftimin në ajër kundër Timo Becker, pas krosimit të Kai Progër. Me portierin e ardhshëm të Bajernit, Alexander Nubel, që nuk pati çfarë të bëjë përballë gjuajes së shqiptarit. “Fatmirësisht funksionoi të gjendurit në vendin e duhur në momentin e duhur. U vendosa në mesin e zonës dhe topin e godita pa u menduar shumë”, e përshkroi Gjasula momentin e golit. Tashmë, përveçse për kartonët e verdhë, ai do të mbahet mend të paktën për këtë javë edhe si goleadori i Padermonit.