”Franca do hakmerret ndaj Gjermanisë për eliminimin në Kupën e Botës” – kështu ka premtuar Olivier Giroud. Lojtari i ndeshjes në gjysmë-finalen me Islandën ka gjetur një formë mbreslënëse nën tutelën e Didier Deschamps. Në 12 ndeshjet e fundit me kombëtaren ai ka mundur të shënojë 10 gola duke e merituar vendin e titullarit në krye të sulmit. Pas ndeshjes gjysmë-finale sulmuesi i Arsenalit u shpreh se ndihej shumë mirë fizikisht dhe për këtë falenderonte stafin e përfaqësueses. Shtatlarti 29-vjecar, i cili me topcinjtë e Londrës këtë sezon shënoi 24-gola u ndal gjatë te rivalët e radhës, që do jenë Gjermania. “Ata janë Kampionët e Botës dhe dalin shpesh në katërshe. Kemi shumë dëshirë që të marrim hakmarrjen tonë për atë cerek-finale në Kupën e Botës” – tha Giroud, duke kujtuar se Franca e mundi Gjermaninë në ndeshjen e fundit miqësore që u zhvillua pikërisht në Paris, në atë nëntor të frikshëm ku u kryen edhe sulmet terroriste. Gjithsesi autori i tre golave në këtë evropian theksoi se përballja e 7-të korrikut në Marseille do jetë krejt ndryshe dhe se për këtë Francës do t’i duhej e gjithë mbështetja e mundshme nga tifozeria e saj.