Giorgio Chiellini tërhiqet nga Kombëtarja, mbrojtësi reflekton edhe mbi të ardhmen me Juventusin

Sport

Giorgio Chiellini njofton tërheqjen nga kombëtarja italiane. Në moshën 38 vjeçare mbrojtësi veteran ka vendosur të bëjë një hap prapa nga ekipi përfaqësues. Njoftimin e ka dhënë vetë lojtari, i cili është shprehur se ka ardhur momenti që të reflektojë mbi të ardhmen.

Chiellini ka bërë të ditur se ndeshjja e fundit me azzurët do jetë ajo ndaj Argjentinës, që do zhvillohet në 1 qershor në Wembley, aty ku kampionët e Europës do përballen me kampionët e Amerikës Latine, dhe në fund, fituesi do kurorëzohet me një trofe.

“Në moshën 38 vjeçare është normale të ndalosh dhe të reflektosh. Nëse gjithçka do shkojë mirë, unë do i jap lamtumirën ekipit kombëtar në Wembley, aty ku arrita kulmin e karrierës time me triumfin në Euro 2020”, është shprehur ndër të tjera mbrojtësi i qendrës.

Me Italinë, Chiellini ka luajtur 116 ndeshje në total, e në 21 prej të cilave ka mbajtur në krahë shiritin e kapitenit.

Po ashtu, me kontratën që i përfundon në fund të sezonit, shtatlarti ka thënë se do reflektojë edhe rreth të ardhmes së tij me Juventusin, por vendimin do e bëjë publik pas finales së 11 Majit në Kupën e Italisë ndaj Interit.