Mes disa ofertave të ndryshme, sikurse interesimi i Milanit, apo i Borussia Dortmund, sulmuesi i qendrës ka preferuar që të ardhmen e tij të lidhë me zikaltërit. Të paktën ky është raportimi që vjen nga mediat përtej Adriatikut, të cilat bëjnë me dije se shtatlarti i Sassuolos nuk ka asnjë dyshim për klubin e ardhshëm të karrierës.
Tanimë, e gjithë çështja është në dorën e Interit. Personazhi që konsiderohet si specialist i merkatos dhe që është Drejtori i Përgjithshëm i kampionëve në fuqi të Italisë, Giuseppe Marotta, do studiojë situatën, për të trokitur më pas me një ofertë në dyert e Sassuolos.
Për momentin, Scamaca ka një kontratë deri në vitin 2025 me klubin nga Emilia-Romagna, ndërsa vlera e tij në tregun e futbollistëve konsiderohet deri në 30 mln euro.
Sigurisht që buxheti i Interit nuk është pa limit, e për këtë arsye, pritet me shumë interes se cila do të jetë oferta e klubit me bazë në Milano në drejtim të Sassuolos.
Ndërkohë që Scamaca ka thënë “po”, sulmuesi i qendrës këtë sezon ka arritur të shënojë 13 gola në Serinë A në 28 ndeshje të luajtura. Në të ardhmen e afërt, pritet të mësojmë më tepër detaje të rëndësishme mbi çështjen në fjalë.