Gianluca Scamaca thërret Romën dhe Jose Mourinhon. Sulmuesi italian, prej një viti pjesë e skuadrës së West Ham United, mesa duket, po pret me padurim që rikthehet sërish në Serie A. Në një intervistë të dhëmë për mediat përtej detit, 24 vjeçari ka shprehur emocionin për fanellën verdhekuqe, që e ka veshur kur ishte pjesë e moshave.
“Gjithmonë kam pasur nostalgji për ato ngjyra dhe gjithmonë kështu do të jetë. Nëse do të rikthehem në Serie A, kjo nuk do të thotë se unë kam dështuar në Angli. Cili lojtar në botë nuk do të donte të trajnohej nga Jose Mourinho. Jam i bindur se nën urdhërat e tij, do të përmirësohesha edhe më shumë”, ka thënë ish-sulmuesi i Sassuolos.
Këtë verë, Scamaca është përfolur shumë për një rikthim në Itali dhe konkretisht në skuadrën e Romës. Dëmtimi i gjatë i Tammy Abraham, e ka detyruar klubin që t’i kthejë sytë nga tregu i merkatos për një përforcim ideal në repartin e avancuar.
Në kushte si këto, drejtuesit e verdhekuqve, e shohin Scamacan, si zgjedhjen e duhur, për të zgjidhur problemin e golave. Që Scamaca të zbarkojë në “Olimpico”, Roma ka një plan konkret. Nënkampionët e Europa League, do të kërkojnë fillimisht huazimin e futbollistit për të paktën një sezon, e më pas të synojnë në mënyrë përfundimtare blerjen e kartonit të tij.
Vetë Scamaca e dha sinjalin e parë, se po pret me padurim të vishet verdhekuq, ndërsa tani mbetet për t’u parë se cila do të jetë lëvizja e Romës.
Në 27 ndeshje të luajtura në edicionin që lamë pas me West Ham, Scamaca shënoi vetëm 8 gola. Si pasojë e problemeve fizike, sulmuesi nuk arriti ta gjente në asnjë moment formën e tij më të mirë.