Gerrard mezi pret Grezdan, i thur elozhe

Sport

gerrard1
Nuk ka më dyshime. Vetë Steven Gerrard ka konfirmuar se Gllasgou Rangers’ do të jetë skuadra e re e anësorit sulmues të Kombëtares shqiptare, Eros Grezda. Klubi skocez ka arritur akordin me kroatët e Osijekut, duke paguar 2 milionë paund dhe Eros Grezda është gati të zbarkojë në futbollin skocez. Tashmë mund të thuhet me plot gojën se anësori ofensiv i përfaqësueses së Panuccit do të vihet shumë shpejt nën urdhrat e Stiven Xherard. Legjenda e Liverpulit, tashmë trajner i bluve të Gllasgou, ka folur para ndeshjes kundër Ufa në Europa League, teksa nuk ka nguruar të thurë elozhe për sulmuesin anësor shqiptar.

grezda

Djaloshi me prejardhje nga Gjakova ka lënë dukshëm përshtypje pozitive tek Gerrard, i cili ka deklaruar: “Ai është një lojtar i shkëlqyer. Kam besim se tifozët do ta duan, pasi Grezda mund të kontribuojë shumë në fazën e sulmit. Bëhet fjalë për një futbollist shumë të shpejtë, direkt dhe vjen me eksperiencë ndërkombëtare. Di të shënojë dhe të japë pasimin e fundit, pothuajse në çdo ndeshje. Ai ishte lojtari më i mirë i Osijekut në sezonin e kaluar. Shpresoj që të japë një kontribut të madh edhe te ne”, përfundoi legjenda angleze. Grezda do të jetë afrimi i 13-të i Rangers në këtë merkato verore. Mirëpo, duke ditur që vjen nga një periudhë mosaktivizimi si pasojë e një dëmtimi, duket mjaft e vështirë që shqiptari 23-vjeçar të jetë në dispozicion për derbin e shumëpritur me Selltikun që luhet në fundjavë dhe transmetohet ekskluzivisht në Tring Sport 1 HD.