Gerrard, mesazh Liverpoolit: Shkoni e luftoni në Kiev!

Sport

Steven Gerrard

Steven Gerrard ka dërguar një mesazh të veçantë te skuadra e Liverpool, përpara finales së Kievit me Real Madridin, duke i inkurajuar “Reds” që të shkojnë për ta fituar Ligën e Kampionëve. Gerrard, i cili shihet si frymëzimi kryesor në “Anfield”, ka nxitur skuadrën aktuale të Jurgen Klopp për të “kapur momentin” dhe për të bërë histori. “Këta lojtarë kanë një mundësi për të mos ndryshuar vetëm karrierën e tyre, por jetën e tyre në përgjithësi. Këto janë momentet që ju ëndërroni. Mesazhi im ndaj lojtarëve do të ishte: shkoni dhe luftoni, shkoni dhe kapni momentin, për të cilin keni punuar aq shumë. Shkoni dhe shpërblehuni për rrugëtimin që keni ndërmarrë në këtë klub. Ju duhet të shkoni me besim, sepse nuk keni ardhur rastësisht deri këtu”, u shpreh ish-kapiteni për faqen zyrtare të klubit anglez.
Ai vijoi duke thënë se Henderson me shokë duhet të dinë të përballojnë përgjegjësinë e të qenit lojtar i Liverpool. Teksa kanë detyrën për të shkuar për të luftuar, duke dhënë gjithçka nga vetja, pa u dorëzuar kurrësesi. “Eshtë një betejë e vështirë, por vetëm sigurohuni që përgatitja juaj për këtë finale të jetë ajo e duhura. Po, sepse kjo është ndeshja më e madhe që do luani si lojtar të Liverpool”, shtoi ai, duke qenë i bindur se skuadra e Klopp e meriton trofeun, përderisa në sytë e tij është një ekip që ka rezistencë psikologjike dhe është në formë të shkëlqyeshme sportive. Trajneri aktual i Rangers e fitoi çmimin më të madh të Europës për klubet me Liverpool, në vitin 2005 në Stamboll, pas një triumfi të jashtëzakonshëm nga penalltitë kundër Milanit.