Më në fund, edhe Steven Gerrard e ka pranuar se Eros Grezda do të largohet nga Rangers. I ardhur për 2 milionë paund nga Osijeku gjatë verës së kaluar, lojtari i kombëtares shqiptare nuk i përmbushi pritshmëritë e teknikut të “Bluve” skocezë. Si rrjedhojë është lënë jashtë planeve të tij për sezonin e ri, ndërkohë që nuk u përfshi në listën e lojtarëve të disponueshëm për fazën përgatitore në Portugali.
Në këtë situtatë, Grezdës i është thënë se duhet të gjejë një skuadër të re. Ndërkohë që Gerrard e ka arsyetuar kështu këtë vendim të marrë nga ana e tij dhe klubit: “Mendoj se ka qenë torturuese për të gjithë. Grezda erdhi me një dëmtim. Aq sa e pati shumë të vështirë për ta hedhur prapa dhe për të gjetur më pas formën më të mirë. Pati edhe probleme të tjera, që janë bënë të vështirë ambientimin me ritmin e lartë të kampionatit skocez, gjë që e ka pohuar hapur edhe vetë ai. Gjithsesi besoj se është një lojtar që zotëron talent. Nuk kam dyshime që mund të shkojë në një kampionat, te një skuadër dhe trajner që mund t’i japë mundësinë të rikthehet në stilin e tij, duke e bërë sërish të suksesshëm”, deklaroi trajneri i Rangers.
Grezda është konsideruar si një nga përforcimet zhgënjyese të bëra nga trajneri anglez. Ai ka edhe 3 vjet kontratë, por merkato pritet ta dërgojë në një tjetër skuadër, që për momentin duket se do të jetë në kampionatin francez pasi të interesuar janë Brest dhe Dijon. Gjatë sezonit të kaluar në “Ibrox Park”, 24-vjecari luajti 18 herë, por vetëm 7 ndeshje e nisi si titullar, duke shënuar vetëm dy gola.