Gennaro Gattuso është shkarkuar nga detyra si trajner I Marseille. Aventura e teknikut Italian në stolin e skuadrës franceze ka zgjatur vetëm 5 muaj. Ish-mesfushori e mori drejtimin e ekipit në fjalë në fundin e Shtatorit të vitit të shkuar, mirëpo aventura nuk I shkoi ashtu sikurse pritej.
Gattuso e drejtoi Marseille në 24 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ndërsa mesatarja e pikëve ishte 1.46 pikë për ndeshje. Duhet theksuar gjithashtu se ky vit nuk nisi aspak mirë për skuadrën e italianit. Nën udhëheqjen e tij, në 2024-tën, Marseille arriti të siguronte vetëm një fitore, çka solli që drejtuesit e klubit të merrnin vendimin që ta pushonin nga detyra ish-lojtarin e Milanit. Gattuso e la skuadrën në vendin e 9 në renditjen e tabelës së klasifikimit, ndërsa Marseille është një klub me ambicie të mëdha, çka do të thotë se situata kishte nisur të dilte nga shinat.
Sakaq, pas largimit të Gattusos, Marseille I ka marrë masat, teksa ka emëruar në krye të detyrës teknikun tjetër, që është Jean-Louis Gasset, me këtë të fundit që ka firmosur deri në fund të sezonit, ndërsa e ardhmja e tij do të varet nga rezultatet që skuadra do të marrë në fushën e lojës.