Mundësia që Leonardo Bonucci të largohet nga Milani pas vetëm një sezoni, është reale. E ka konfirmuar nga Los Angeles, trajneri kuqezi Genaro Gatuso, gjatë konferencës për shtyp të ndeshjes miqësore kundër Manchester Junaited. Për mbrojtësin qendror flitet së fundi për një rikthim të bujshëm te Juventusi, si pjesë e një shkëmbimi me Gonzalo Higuain. Gjithsesi, nga fjalët e Gatuzos kuptohet edhe se vetë ai do të bëjë gjithçka për ta bindur që të qendrojë. “Kam biseduar me Bonuccin dhe mund të them se ka shprehur një dëshirë sa i takon të ardhmes. Por gjithsesi më parë duhet të flasë edhe me drejtuesit e rinj. Mendoj se kur një lojtar shpreh një dëshirë në mënyrë të qartë, është e drejtë që diskutimi të përballohet në mënyrë serioze dhe të arsyetuar. Unë do të bëj ç’mos për ta bindur që të mos ikë. Mirëpo do t’i takojë atij dhe klubit të vendosin. Derisa sa të jetë pjesë e skuadrës time, dua të shoh Bonuccin që kam parë në 12 ditët e fundit, një profesionist dhe i pari që tërheq grupin”, u shpreh fillimisht tekniku.
Në një moment tepër delikat për klubin kuqezi, numri një i stolit milanist ka dhënë mendimin e vet edhe mbi merkaton, duke theksuar që si drejtuesit e rinj, ashtu edhe të vjetrit e dinë se çfarë i mungon skuadrës dhe që nevojiten lojtarë cilësorë, por mbi të gjitha funksionalë. Në këtë prizëm, Gatuzo ka zbuluar se ka pasur një takim me Leonardon, ish-futbollistin dhe trajnerin e Milanit, që do të marrë rolin e drejtorit të përgjithshëm të klubit.
Ndërkaq, ndien keqardhje oër largimin e administratorit Fassone, por edhe për shkarkimin e drejtorit sportiv Mirabelli. “Jam te Milani, sepse ata të dy besuan tek mua në nëntor. Merita është e atyre të dyve!”, ka pranuar tekniku. Gjithsesi, Gattuso si një profesionist, pohon se tani duhet shikuar përpara, për të vazhduar detyrën. Megjithëse ka treguar se ende nuk ka pasur një takim me pronarët e rinj. “Sidoqoftë, është normale që ndryshimet të sjellin risi. Por të gjithë jemi të qetë. Detyra jonë është të japim maksimumin, nuk kemi justifikime. Deri më tani nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të falënderoj ata njerëz, që rrethojnë Milanin”, ka përfunduar Gattuso, i cili për 3 ditë do të stërvisë kuqezinjtë në qendrën sportive të Los Angeles Lakers, aty ku luan Zlatan Ibrahimovic.