Gattuso drejt rikthimit si trajner; italiani do të drejtojë Lionin

Sport

Gennaro Gattuso do të rikthehet edhe njëherë tjetër në detyrën si trajner. Pas aventurës tek Valencia, që nuk shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme, ish-mesfushori italian do t’i besohet stoli në një tjetër klub me emër të kontinentit. Bëhet fjalët për Lionin, që vetë pak ditë më parë konfirmoi shkarkimin nga detyra të Laurent Blanc, për shkak të rezultateve jo të mira në 4 javët e para të kampionatit francez. Lioni ende nuk ka fituar as një ndeshje e madje ka arritur të marrë vetëm një pikë, duke regjistruar 3 humbje. Kjo situatë është aspak normale për një nga klubet më të rëndësishme në ‘Ligue 1’ e për këtë arsye, drejtuesit kanë vepruar, duke përfituar nga shkëputja prej futbollit të përfaqësueseve për të bërë këtë rotacion. Takimet mes Gattuso-s dhe përfaqësuesve të Lionit kanë qenë të shpeshta dhe thuhet se palët kanë gjetur shpejt një marrëveshje, por mbeten edhe disa detaje për t’u vendosur. Mediat franceze flasin për një kontratë dy-vjeçare për Gattuso-n, që mund të vijë me formën e një akordi për një vit, me opsion rinovimin automatik në rast se do të sigurohet prezenca në ‘Champions League’ në sezonin e ardhshëm. Për Gattuso-n, kjo nuk do të jetë aspak një sfidë e lehtë. Edhe tek Valencia, ai u përball me një situatë të ngjashme, ku një klub me emër ishte në krizë totale. Por ndryshe nga koha tek spanjollët, tek Lioni ai gjen një klub me financa më të qërndrueshme, teksa tifozët presin një ndryshim radikal në fytyrën e skuadrës menjëherë në fundjavën e ardhshme. Tashmë 45-vjeçar, Gattuso po kërkon të nisë aventurën e tij të tetë në rolin e trajnerit, pasi përpara Lionit e Valencias, ai e ka bërë një gjë të tillë në krye të stolit të skuadrave si Sion, Palermo, OFI Crete, Pisa, Milan e Napoli.