Gati për Juventus, Draxler përshëndet Shalken

Sport

draxler
Duket se gjithçka po shkon drejt konkretizimit. Julian Draxler do të transferohet te Juventusi. Marrëveshja me lojtarin është arritur prej kohësh, por tashmë topi i ka kaluar dy klubeve, Juventusit dhe Schalkes, të cilat duhet të arrijnë një dakordësi në lidhje me formulën e transferimit të fantazistit gjerman. Sipas asaj çka raporton gazeta italiane “La Stampa” 21-vjecari tashmë ka përshëndetur shokët e tij të skuadrës duke u treguar atyre se gjithcka është përfundimtare dhe se ai do të transferohet në Itali.
Po sipas shtypit Italian, thuhet se Schalke tashmë është e gatshme të diskutojë lidhur me mundësinë e transferimit. Drejtori Sportiv i Schalkes, Horst Heldt, u shpreh se deri ditët e fundit nuk kishin dëshirë të uleshin me përfaqësues të Juventusit për të diskutuar në lidhje me transferimin e Draxlerit. Por tanimë gjërat kanë ndryshuar.
Tuttosport raporton se vetë lojtari i ka kërkuar klubit që të transferohet dhe kjo gjë i ka ndryshuar përfundimisht gjërat. Palët thuhet se do të ulen për të diskutuar në fillimin e javës së ardhshme. Juventusi shpreson të arrijë një marrëveshje brenda shifrave 25 milionë euro, ndërkohë që Schalke kërkon të paktën 30 milionë, për një ndër talentet më të çmuara të këtyre viteve.