Gasperini : “Kemi dëshirë, motivim dhe entuziazëm”!

Sport

Gasperini, trajneri i Atalantas:
“Kemi treguar se një skuadër pa traditë në Europë, sërish mund të bëjë mirë, me vlera si dëshira, motivimi dhe entuziazmi. Mendoj se njerëzit e pëlqejnë shumë këtë . Kemi një përgjegjësi të madhe për të mos zhgënjyer, jo me rezultatin, por me këto vlera që na karakterizojnë. Do të kisha preferuar më tepër një duel vajtje – ardhje, pasi ne kemi bërë më mirë në ndeshjen e kthimit, sikurse ndodhi me Dinamon, Shakhtarin, apo Manchester City-n. Kemi përballë një skuadër që nuk jemi takuar asnjëherë më parë, dhe nuk kemi asnjë të dhënë konkrete për parametrat që kanë lojtarët e tyre. Neymar? Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë, çka ështën jë problem për të gjitha skuadrat që përballen me të. Mendoj se mënyra më e mirë të përballesh me të është ta luash ndeshjen në mënyrën më të mirë. Kemi luajtur ndaj disa lojtarëve të mirë dhe Neymar është një prej tyre. Vijmë në këtë takim në kushte optimale. Me rifillimin e sezonit kemi marrë rezultate pozitive. U renditën në vendin e 3-të dhe siguruam një vend për në Champions League në sezonin e ardhshëm. Ky për ne është një prestigj I madh, por në të tilla ndeshje duhet t’I lëmë emocionet mënjanë”.

Marten de Roon, mesfushori i Atalantës:
“Rezultatet deri këtu janë të jashtëzakonshme. E kemi nisur këtë rrugë 4 vite më parë kur në krye erdhi Gasperini. E kemi ndryshuar nivelin vit pas viti, duke filluar nga lojtarët, apo edhe stafi. Jemi një klub në rritje. E dimë se mund të luajmë ndaj skuadrave të mëdha. E kemi bërë në Itali, por gjithashtu edhe në Europë. Ndaj Parisit do jetë më e komplikuar me lojtarë si Neymar, Mbappe apo Thiago Silva, të cilët luajnë prej vitesh në nivele shumë të larta. Mendoj se kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për lojtarët, për qytetin, për provincën dhe për Italinë. Jemi përgatitur si për çdo ndeshje, nuk duhet të ndryshojmë shumë. Kjo është një sfidë si gjithë të tjerat, por ka më tepër rëndësi. Çerekfinalja e Champions League është një ëndër, një ëndërr për shumë lojtarë”.