Gasly krahason sezonin e tij në 2019-ën me një film ‘Hollywood’-i

Sport

Pierre Gasly shihet si një ndër pilotët e talentuar të ‘Formula 1’, nga i cili pritet vërtet shumë. Francezi e nisi sezonin 2019 si pilot i skuadrës ‘Red Bull’, çfarë shfaqte hapur besimin e Christian Horner ndaj tij. Por gjërat për Gasly nuk nisën në mënyrën e duhur. 23-vjeçari ishte ndër pilotët më të kritikuar për shkak të formës së dobët, ku në jo pak raste nuk ia dilte të përfundonte garën. Gasly nuk ia doli dot të përshtatej në kohë me makinën ‘Red Bull’ dhe rezultatet e mira të shokut të tij të skuadrës, Max Verstappen, thjesht sa e komplikonin situatën për të. Vetë piloti e ka krahasuar sezonin e tij në 2019-ën me atë të një filmi ‘hollywood’-ian. Ai u shpreh se humbja e një prej shokëve të tij më të mirë, Anthoine Hubert, i cili u përfshi në një aksident në garën e Belgjikës, ishte diçka që e tronditi jo pak. Për shkak të rezultateve jo të mira, Gasly do të largohej nga ‘Red Bull’ për tek ‘Toro Rosso’, ku shkëmbeu pozicionet me Alexander Albon. Tek skuadra satelite e ‘Red Bull’, Gasly filloi të rigjente veten, duke bërë disa paraqitje të mira, çfarë kulmoi me arritjen e vendit të dytë në Brazil, pas një dueli emocionues me kampionin e botës, Lewis Hamilton. Podiumi i parë në karrierë në ‘Formula 1’, bëri që kritikat ndaj Gasly të ndaleshin, ndonëse vetë piloti francez nuk përfshihet nga entuziasmi.
“Ka qenë një vit plot ulje-ngritje. Kam kaluar disa momente të këqija, por tek ‘Toro Rosso’ gjeta sërish atë që më duhej. Podiumi në Brazil ishte diçka e jashtëzakonshme, pasi kisha vërtet nevojë. Gjithësesi, nuk dua të mendoj se kam bërë hapin e madh, pasi kam ende shumë punë përpara.”
Edhe pse tashmë është pjesë e ‘Toro Rosso’, Christian Horner i ‘Red Bull’ beson se Gasly i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë protagonist në ‘Formula 1’. Vetë francezi kërkon të vijojë punën me ‘Toro Rosso’-n aty ku u mbyll edhe 2019-a, pasi në teste, motori Honda ka bërë që Gasly të bëjë disa paraqitje të mira, duke rritur optimizmin për sezonin e ri.