Shkëlzen Gashi nuk shënonte gol prej pesë muajsh me Koloradon në Major League Soccer. Por rikthimin e tij te rruga e rrjetës e ka bërë në mënyrën më të bukur, megjithëse si përfundim ka qenë e pamundur që të kënaqet për fitoren e skuadrës ku luan, e cila është thyer 1-2 nga Kolombus Krju. Ishte Gashi në të 26′ ai që barazoi përkohësisht shifrat e rezultatit përmes një perle, duke dërguar kështu një kartolinë të bukur nga Amerika, për ata që e kishin harruar. Me të vërtet bëhej fjalë për një nga ato gola që janë pjesë e repertorit të një lojtari klasi.
Pavarësisht se erdhi pas një “hileje”, përderisa 30-vjeçari që ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare, ekzekutoi goditjen dënimit, në një kohë kur portierin kundërshtar po rregullonte barrikadën. Lojtarët e skuadrës së Kolumbus protestuan më kot, pasi goli u konsiderua i vlefshëm. Gjithsesi, ky gol nuk shmangu dot disfatën për Kolorado Rapids, që regjistroi kapitullimin numër 17 për këtë sezon. Ecuri më të keqe se kaq ka pasur vetëm skuadra e Jahmir Hykës, që dje humbi për të 18-ën herë. Lojtari i Kombëtares ishte titullar në humbjen 2-0 që San Jose Earthquakes pësoi kundër Los Anxheles.