Gareth Southgate jep dorëheqjen nga Anglia

Sport

Grateh Southgate jep dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares angleze të futbollit. Ndonëse kishte edhe 6 muaj të mbetur në kontratë, 53 vjeçari ka vendosur të ndërpresë rrugëtimin e tij në krye të përfaqësueses së 3 luanëve.

Finalja e Europianit e humbur ndaj Spanjës, me rezultatin 2-1, ka rezultuar pikërisht ndeshja e fundit e Southgate me Anglinë, i cili ka reflektuar disa disa pas disfatës dhe ka dalë në përfundimin se tani është momenti i duhur për të bërë një hap pas.

Rrugëtimi i Southgate me Anglinë, fillimisht nisi në 2016-tën, e përgjatë këtyre 8 viteve, britaniku ka lënë gjurmë të rëndësishme në stolin e nënkampionëve të Europës. Në Europianin e 2020-tës, Southgate e dërgoi Anglinë deri në finale, diçka që kombëtarja ishullore nuk e kishte arritur dot prej dekadash, e më konkretisht që nga 1966-ta, atëherë kur Anglia fitoi edhe Kupën e Botës. Në Euro 2024 që sapo përfundoi, Anglia u rikthye sërish në finale, ndonëse edhe një herë tjetër, nuk ia doli të kthehej triumfuese në shtëpi.

Megjithatë, pavarësisht mungesës së trofeut, për Southgate u bë trajneri i parë anglez që arrin dy finale të njëpasnjëshme me ekipin përfaqësues, një e dhënë që mund të cilësohet si rezultat i lartë i punës së ish-mbrojtësit.

“Si një anglez krenar, të drejtoja ekipin kombëtar, për mua ka qenë nderi i jetës sime. Në këtë rrugëtim kam dhënë maksimumin e mundshëm. Mirëpo tani ka ardhur koha për ndryshim. Finalja ndaj Spanjës, ishte ndeshja ime e fundit si trajner i përfaqësueses”, ka thënë ndër të tjera Southgate në një deklaratë publike.

Sa i përket pasuesit të Southgate në krye të stolit të 3 luanëve, emrat që kanë nisur të qarkullojnë, janë menjëherë të shumtë, duke nisur nga Thomas Tuchel, Frank Lampard, Steven Gerrard, Mauricio Pochettino, apo edhe Graham Potter.