Ndonëse ishte emri i parë në listën e lojtarëve në largim tek gjigandët e Real Madrid, Gareth Bale tashmë ëshë kthyer në një element të rëndësishëm të ‘los blancos’ në këtë fillim sezoni. Uellsiani ka folur nga grumbullimi i kombëtares së tij pikërisht rreth situatës së komplikuar në të cilën ai ndodhet. Zidane shprehej hapur në fillim të verës se Bale nuk bënte pjesë në planet e tij dhe se lojtari duhet të gjente një skuadër të re. 30-vjeçari ishte pranë tranferimit në Kinë, por në fund vetë anësori ndaloi çdo gjë. Por tashmë situata ka ndryshuar dhe Bale është ndër ata që po e nxjerrin Zidane ‘nga balta’. Uellsiani u shpreh se është përballur edhe herë të tjera me situata të ngjashme dhe di se si t’i zgjidhë gjërat, por pranoi se nuk është më aq i lumtur tek Real Madrid. Bale ngushëllohet me faktin që të paktën ka minuta në këmbët e tij, ndonëse dhe vetë ai e kupton se Zidane e përzgjedh për shkak të problemeve me dëmtimet që ka skuadra.
“Jam një profesionist dhe sa herë që do të zbres në fushë, do të jap më të mirën time, pavarësisht çdo situate. Unë e kuptoj që u përzgjodha për t’u sakrifikuar, por kam vazhduar të punoj gjithmonë e më shumë dhe me kokën ulur.”
Bale ishte protagonist në sfidën e fundit të Real Madrid ndaj Villareal, takim ku uellsiani shënoi 2 gola për barazimin 2-2, por edhe u ndëshkua me karton të kuq në çastet e fundit të ndeshjes. Kjo gjë shkaktoi polemika pasi u aludua se lojtari e kishte marrë me qëllim kartonin e dytë të verdhë, por Zidane nuk pranoi të tilla spekulime, dhe për këtë sipas tij flasin golat e shënuar nga ana e Bale.