Gallatasaraj i emrave, sa do funksionojnë?

Sport

Nëse Brugge mund të jetë i destinuar të bëjë rolin e viktimës së Grupit A të Champions League, nuk mund të thuhet e njëjta gjë me siguri për Gallatasarajin. Përkundrazi, turqit duan të kthehen protagonistë në Evropë. Prania e “Perandorit” Fatih Terim në pankinë është një garancie për të synuar kërcimin cilësor në nivel kontinental. Por mbi të gjitha tërheq vëmendjen afrimi i lojtarëve cilësor dhe të përvojës, me një farë emri të krijuar ndër vite. Një merkato që mund të konsiderohet e cmendur për një ekip mestar, megjithëse turqit kanë shpenzuar vetëm 10 milionë euro për shkak të… huazimeve.

Afrimi më i bujshëm është ai i Radamel Falcaos, të cilit i është garantuar një pagë prej më shumë se 5 milionë eurosh. Kontratën e firmosi pikërisht në mesin e fushës së stadiumit “Turk Telekom Arena”, gjatë prezantimit përpara 25 mijë tifozëve, si një yll rroku. Ndoshta nuk është më ai “tigri” i disa viteve më parë. Por Terim ka vendosur të besojë tek kolumbiani 33-vjecar, për finalizimin e sulmeve të Gallatës, pas 474 ndeshjeve dhe 277 realizimeve me klubet ku ka luajtur. Edhe debutimin me fanelën verdhekuqe e bëri me… gol përballë Kasimpasha’. Ai dhe tifozët urojnë të jetë i pari i një serie të gjatë.


Befasuese ishte ardhja e Jean Michael Seri, mesfushor i huazur prej Fulhamit dhe i kërkuar disa herë në të kaluarën nga Barcelona. Serit iu shtua edhe Ryan Babel, i ardhur po nga klubi i Premier Leagues. Megjithatë “diga” për mesfushën e Terim konsiderohet Steven N’Zonzi, i ardhur të paktën për këtë sezon nga Roma. Rikthim në shtëpi direkt nga Spanja ka bërë edhe një talent si Emre Mor, që vjen prej Celta Vigos. Ndërsa në ditët e fundit të merkatos, turqve iu bashkua edhe ish-juventini Lemina, për t’i dhënë mesfushës më tepër cilësi. Të gjithë këta i janë shtuar armës kryesore të skuadrës së sezonit të kaluar, Sofiane Fegohuli. Algjeriani u bë protagonist me 13 gola e 7 asiste. Mirëpo këtë vit, me nivelin e rritur të ekipit, përvoja e tij mund të jetë një vlerë plus në këtë “ansambël” emrash të njohur, që presim t’i shohim sesa do të funksionojnë si kolektiv në fushë.