Milani nuk heq dorë nga Ibrahimovic. Administratori i Përgjithshëm, Adriano Galliani, duke folur së fundmi për mediat është shprehur se kuqezinjtë nuk i kanë shuar shpresat për ta rikthyer suedezin në San Siro. Nga ana tjetër trajneri Sinisa Mihailovic në prag të trofeut “Audi Cup”, deklaron se “nëse Ibrahimovic rikthehet, atëherë Milani do të jetë kandidate serioze për ta fituar kampionatin”.
Milani e ka deklaruar hapur synimin për ta transferuar sulmuesin e PSG-ës, duke shpresuar tek lidhja që ka pasur Ibrahimovic me klubin. Por paga e majme dhe klauzolat ekonomike që ka kontrata e tij me francezët ia vështirësojnë ndjeshëm gjërat italianëve, që gjithsesi duken alternativa më e mirë.
Raportime të ndryshme në Itali dhe Turqi, thonë se 33-vjecari ka marrë oferta edhe nga Galatasaray. Turqit thuhet ti kenë ofruar suedezit një kontratë prej 7 milionë paundësh në sezon, por që me gjasa është refuzuar, kjo për shkak të nivelit të ulët, që ka futbolli turk në krahasim me liga të tjera të evropës.
Ibrahimovic duket qartë që ka trazuar shumë ujëra. Në një kohë që kontrata e tij me PSG-ën përfundon vitin e ardhshëm, gjithçka varet nga vullneti i tij, teksa mosha 33-vjecare e dikton që të mos bëjë shumë numra, pasi ky mund të jetë transferimi i fundit në karrierë. Një karrierë që shumëkush ëndërron ta përmbyllë te Milani, por që për Ibrën nuk po dihet akoma.