Me largimin praktikisht të sigurt të Angel Di Marias, Manchester Junaited është në kërkim të një zëvendësuesi të denjë. Përveç Pedro Rodriguez të Barcelonës, emri befasues që raportojnë mediat britanike, bazuar në shtypin portugez, është ai i yllit të Benfikës, Nicolas Gaitan.
“Djajtë e Kuq” besohet se do të gjejnë një akord prej rreth 30 milionë eurosh, për të sjellë mesfushorin-sulmues në Manchester, aty ku ai duhet të mbushë hapësirën e lënë bosh nga Di Maria. Edhe Gaitan, ashtu si ish-lojtari i Realit, është nga Argjentina, por natyrisht ka më pak përvojë sesa bashkatdhetari i tij. Ndërkohë që nuk shquhet për gola, por për asiste, teksa ka shënuar vetëm 21 herë në 4 sezone që aktivizohet te Benfika, ku erdhi në vitin 2010 nga Boka Juniors.
Vetë Gaitan, 27 vjeç, mezi po e pret një transferim në “Old Traford”, pasi është i ngazëllyer për faktin që do të punojë nën urdhërat e trajnerit Van Gaal. Siç raportojnë mediat portugeze është në pritje vetëm të “dritës jeshile”, për të marrë rrugën drejt Anglisë. Emisarët e merkatos së Junaited mësohet se po ngulmojnë fort te ky transferim. Dhe konkretizimi është vetëm çështje kohe.