Atalanta e Etrit Berishës regjistroi një nga befasitë e mëdha të ndeshjeve të para të turit të dytë të Europa League. E protagonist për keq ishte edhe portieri i Kombëtares shqiptare. Skuadra e vetme italiane që merr pjesë në këtë tur të kompeticionit evropian, ka barazuar 2-2 krejt papritur në shtëpi nga Sarajevo, edhe pse u gjend në një avantazh të dyfishtë gjatë pjesës së parë. Tashmë ka vendosur në rrezik serioz vazhdimin e aventurës kontinentale. Etrit Berisha ishte pjesë e formacionit titullar në radhët e skuadrës nga Bergamos, megjithë zërat e qarkulluar në kohën e fundit se klubi tashmë preferon Golinin në vend e tij. Në pjesën e parë, ai nuk kishte shumë punë, pasi Atalanta dominoi dhe gjeti rrjetën dy herë me Toloi e Pesina.
Por në pjesën e dytë, gardiani kuqezi u bë protagonist i një gabimi, që i kushtoi bergamaskëve, të cilët kanë ndërlikuar cështjen e kualifikimit. Paprtimas, Sarajevo u ngjall pas intervalit, duke realizuar surprizën brenda 5 minutave. Fillimisht, Hanxhiç në të 67 dërgoi topin në rrjetë me një gjuajtje të befasishme. Ndërsa më pas, Sisiç barazoi shifrat duke përfituar nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësve të Atalantës dhe pikërisht portierit Berisha. Kështu, barazimi 2-2 vështirëson së tepërmi punën e atalantinëve, që kanë detyrën të fitojnë takimin e kthimit në Bosnjë Hercegovinë. Me shpresën që edhe Berisha të marrë revanshin e tij personal.