Kanë kaluar 7 muaj nga ndarja nga jeta e futbollistit të njohur italian Davide Astori. 31-vjeçari u gjet i pajetë në një dhomë hoteli në Udine, më 4 mars, pasi një atak kardiak i mori jetën në gjumë. Bashkëshortja e tij, Francesca Fioretti ka preferuar ta ndajë hidhërimin vetëm me të afërmit më të dashur për të. Por, ajo ka vendosur të thyejë heshtjen dhe ka folur për herë të parë për “Corriere della sera”.
“Më 5 mars shoqërova time bijë në shkollë dhe shkova te psikologia e fëmijërisë. Jeta me Vittoria-n u tregua e ashpër, nuk i dha mundësinë e të jetuarit me të atin. E di që nuk duhet t`ia përcjell dhimbjen asaj dhe nuk duhet të dukem e trishtuar dhe e dëshpëruar. Ajo e ka kuptuar që ai nuk do të kthehet, por ka shkuar në një vend imagjinar ku është i lumtur. Nuk e di se çfarë ma dha forcën për të ecur përpara dhe të merresha më prioritetin tim të vetëm: time bijë. Lotët e mi do vazhdojnë dhe do t`i ndaj me Vittoria-n, por duhet t`i lë të kuptojë që nuk janë lot dëshpërimi. Janë lot emocioni, emocion që vetëm kujtimet më të bukura mund të ta krijojnë. Nuk mund ta pranoj që u largua kështu. Nuk ishte një aksident, as një sëmundje… Dukej si një përrallë e keqe, ishte fundi i të gjitha projekteve që kishim bërë bashkë. Ishim vërtetë të lumtur”, -është shprehur ajo. Duket qartë që Fioretti ende nuk e ka marrë veten nga kjo ngjarje e rëndë që tronditi jetën e saj, por ka një motiv që e shtyn të bëhet e fortë, që është e bija.