Futbolli mund të jetë gjithçka në jetë. Kjo mund të thuhet për Angel Correan. Argjentinasi 22-vjeçar, i cili luan për Atleticon e Madridit, ka folur së fundmi rreth operacionit në zemër dhe vdekjes së të atit dhe 2 vëllezërve të tij. Sulmuesi rrëfeu se e sheh futbollin si mundësinë më të mirë që i ka ofruar jeta dhe se aktualisht ndihet i frymëzuar për të vazhduar edhe më fort përpara.
“Babain e humba kur isha 10-vjeç, më pas 2 vëllezërit, ku më i fundit u vetë-vra këtë verë pas problemeve me depresionin… për mua futbolli ka qenë gjithmonë mënyra më e mirë për të harruar atë çka ndodhte rreth meje” – rrëfeu Correa, i cili tregoi se gëzimi më i madh për të kishte qenë rroga e parë që ai kishte dërguar në shtëpi, si futbollist në kohën kur luante te San Lorenzo në Argjentinë.
Por asgjë nuk ka qenë e lehtë për 22-vjecarin e lindur në Rosario. Dy vite më parë, ndërsa kishte nënshkruar me Atleticon, në një analizë rutinë, mjekët pikasën praninë e një tumori në zemër dhe ai u detyrua të operohej. “Ishte diçka e paimagjinueshme. Mendoja se gjithcka që kisha përpara po merrte fund. Mjekët me të cilët isha konsultuar më parë, më kishin gënjyer, por fatmirësisht gjërat shkuan ok dhe ja ku jam” – tha ai duke falenderuar mbi të gjitha klubin e Atleticos që nuk u tërhoq nga kontrata prej 7.5 milionë eurosh, dhe miqtë që i qëndruan afër. Këtë sezon, Correa ka shënuar 4 gola dhe 2 asiste, ndërsa thekson se përpiqet në maksimum që përmes futbollit miqve që ka në Madrid dhe Roasario, të ndihet i lumtur.