Futbolli humbet ‘mbretin’, Pele ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare

Sport

29 dhjetori i 2022-shit do të kujtohej gjithnjë si një nga ditët më të errëta të botës së futbollit. Ai që konsiderohej si ‘mbreti’ i këtij sporti dhe për shumë njerëz si lojtari më i mirë që ka shkelur në fushën e blertë, Pele, nuk është më mes nesh. Në moshën 82-vjeçare, Pele nuk ia doli të fitonte betejën me sëmundjen e kancerit, teksa prej disa ditësh gjendej i shtruar në spital, në gjendje të rëndë. Braziliani do të mbahet mend për shumë gola e rekorde, por ajo se çfarë ai ka realizuar në ‘Kupën e Botës’ me përfaqësuesen e tij është një nga gjërat që vështirë se mund të përsëriten. 3 botërorë të fituar prej tij, e para në moshën 17-vjeçare. Në fakt, Pele ishte vetëm 17 vjeç e 249 ditë kur luajti në finalen 1958-ës, në Suedi, ku ia doli edhe të realizonte një dopietë. Në rang klubesh, ai luajti vetëm për dy fanella, atë të Santosit në vendlinde dhe të Cosmos New York, kur ishte në fundin e karrierës. 10 kampionate të fituar në rajonin e Sao Paolos, 4 turne mes Rios e San Paolos, 6 trofe si kampion i Brazilit, 5 kupa radhazi, dy trofe të ‘Copa Libertadores’, ‘Kupa Interkontinentale’ si dhe një trofe të kampionatit amerikan. Në total, ai shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje, nga të cilat 757 realizime erdhën në 816 ndeshje zyrtare. Një karrierë me një mesatare prej thuajse 1 goli për ndeshje. Pele u vlerësua me çmime si ‘Lojtari i shekullit’ nga FIFA, ‘Komiteti Olimpik’, apo ‘Federata e Statistikave dhe Historisë së futbollit’. Ai po ashtu u konsiderua nga FIFA si ‘Topi i Artë’ i shekullit, çmim që e mori në formë në vitin 2013. Kështu, pas Diego Armando Maradonës, bota e futbollit humbet një tjetër ikonë. Pasi frymëzoi miliona njerëz për të realizuar ëndrrat e tyre, Edson Arantes do Nascimento u dorëzua, edhe pse për të gjithë ata që duan këtë lojë, ai do të njihet si Pele, ‘Mbreti i futbollit’.