Me vetëm një sezon të luajtur në Gjermani, Kolo Muani është kthyer në qendër të klubeve me peshë të kontinentit. Duke parë interesin e shtuar për nënkampionin e botës, Eintracht Frankfurt, aty ku Muani u transferua në verën e 2022-shit, ka vendosur çmimin përfundimtar për shitjen e futbollistit.
Mediat gjermane, por jo vetëm, raportojnë se Frankfurti kërkon plot 90 mln euro për ta lënë të lirë lojtarin në fjalë, kontrata e të cilit përfundon në verën e 2027-tës.
Një mundësi që Muani të luajë në të ardhmen është Bayern Munich. Bavarezët, që prej largimit të Robert Leëandoëskit, janë ende pa një sulmues të mirëfilltë, çka në një moment të caktuar solli edhe vështirësinë e skuadrës për të gjetur rrugën e rrjetës, sidomos në ndeshje të rëndësishme. Përmendim këtu eliminimin nga Champions League, apo edhe nga Kupa e Gjermanisë në harkun e vetëm pak ditëve.
Po ashtu një tjetër emër i madh i kontinentit që është i interesuar për shërbimet e Muani, është edhe Real Madrid. Duke qenë se Karim Benzema, pritet të luajë vetëm edhe një tjetër sezon në “Santiago Bernabeu”, kampionët në fuqi të Europës kanë nisur të mendojnë për pasuesin e francezit. E, pasuesi i tij, pritet të jetë pikërisht një francez.
Gjithashtu, edhe Manchester United është duke e mbajtur një sy nga ecuria e 24 vjeçarit, ndonëse anglezët nuk e kanë atë prioritet për merkaton e verës.
Këtë sezon, Muani, ka shënuar 21 gola dhe ka kontribuar me 15 asist në 42 ndeshje të luajtura në të gjitha garat me Frankfurtin. Të tillë numra, kanë bërë që Muani të shtrojë terrenin për një të ardhme më të ndritur në karrierën e tij. Të shohim se ç’do të ndodhë në muajt e ardhshëm të verës për çështjen në fjalë.