Sirenat e largimit të Franck Kessie nga Barcelona, kanë nisur të bien më shpejt nga sa mund të mendohej. Vetëm 485 minuta të luajtura në 13 ndeshje mes Champions League dhe La Ligas, konsiderohen shumë pak nga mesfushori, i cili ka nisur të ndihet i pakënaqur në “Camp Nou”.
Sikurse raportojnë mediat e huaja, gjithçka mund të ndodhë brenda merkatos së janarit. Ofertat e para për Kessie kanë ardhur nga Anglia dhe konkretisht është skuadra Aston Villa dhe Fulham, me të dyja këto klube që militojnë në Premier League.
Për të marrë kartonin e Kessie, Villa është gati të dhurojë deri në 14 mln euro në drejtim të Barcelonës, vetëm e vetëm që mesfushori të zbarkojë në Villa Park.
Nga ana tjetër, Fulham ofron 20 mln euro, në mënyrë edhe për të fituar rivalitetin me Aston Villa. Nuk dihet se ç’do të ndodhë, por duke marrë parasysh eliminimin e Barcelonës nga Champions League që në fazën e grupeve, klubi katalanas ka nevojë për sa më shumë të ardhura, në mënyrë që të ekuilibrojë disi situatën financiare. Për më tepër, duke marrë parasysh që Kessie zbarkoi me parametra zero në Barcelonë, shitja e tij do garantonte klubit një operacion të suksesshëm financiar.
Sirenat e largimit të Kessie nga Barcelona u komentuan edhe disa javë më parë, të cilat vetë futbollisti i mohoi. Megjithatë, nuk ka kaluar shumë kohë dhe lojtari është rikthyer sërish në qendër të merkatos. Nisur nga kjo situatë, këtu merr kuptim shprehja, “ku ka zë, s’është pa gjë”.