Vetëm një ditë pas zbarkimit në Torino dhe kryerjes së vizitave mjekësore me Juventusin, Adrien Rabiot është prezantuar përpra mediave, si futbollist më i ri i bardhezinjve, ku erdhi me paramtër zero. Si fillim, mesfushori francez ka zbuluar se Gianluigi Buffon ishte një nga ata që e bindën të transferohet te Juvenusi. Mesfushori ka luajtur me Buffonin te francezët sezonin e kaluar dhe mund të bashkohen sërish te klubi nga Torino, përderisa portieri 40-vjecar duket se është afër akordit për të luajtur edhe për 1 vit me kampionët e Italisë.
Ndërkohë duke u kthyer te Rabiot, ai pranoi se më në fund erdhi momenti për të zbarkuar tek Juventusi, klub me të cilin kishte pasur kontakte edhe në të kaluarën, por për një arsye apo për një tjetër, transferimi nuk ishte konkretizuar. “Tani ishte koha e duhur për mua që të vija këtu dhe ja ku jam. Duhet t’ju them se në sezonin e kaluar kam folur shumë me Gigin. Dhe ai më dha shumë sugjerime e këshilla. Sigurisht, kemi biseduar shumë për Juventusin, pasi Buffon e njeh ekipin dhe klubin shumë mirë. Ishte njeriu i duhur, me të cilin mund të flisja për këtë. Mendimi ka rëndësi për mua. Ai më tregoi shumë gjëra interesante rreth Juventusit, se nëse doja të bëja përparim të mëtejshëm në karrierën time, do të ishte mirë të vija këtu”, u shpreh francezi, që duket se është bindur pikërisht nga fjalët e portierit, por natyrisht edhe nga paga prej 7 milionë eurosh që do të marrë në sezon.
Gjithashtu, Rabiot u pyet rreth mundësisë që do të luajë përkrah Ronaldos, një prej lojtarëve më të mirë në botë. “Sigurisht Ronaldo është një kampion i madh, siç janë shumë të tjerë. Kështu që edhe ai ka luajtur një rol jo të vogël në vendimin tim për të ardhur me Juventusin”, përfundoi Rabiot.