Arsene Wenger kërkon të vazhdojë e të drejtojë një skuadër futbolli, por është i pasigurt nëse do të pranonte apo jo një sfidë të vështirë. Pak pasi i dha fund përvojës së tij 22-vjecare në krye të Arsenalit, 68-vjecari ka folur për të ardhmen e tij duke nënkuptuar se dëshiron ta vazhdojë më tej karrierën si trajner. Duke folur për francezen Telefoot Wenger tha se në dy javët e ardhshme do t’i përgjigjej konkretisht, pra me fakte, nëse dëshiron apo jo të vazhdojë më tej. Ish-trajneri i Arsenalit la të mendohet se ka disa oferta dhe se ai po i shqyrton ato.
Pak ditë më parë, pasi Zinedine Zidane u largua nga Reali i Madridit, emri i Wengerit u përfol si një nga kandidatët e mundshëm, por për këtë pjesë, pa folur me referim të drejtpërdrejtë, veterani u shpreh se nuk është i sigurt nëse mund ta marrë përsipër një tjetër “sfidë të çmendur”, pasi kjo sipas tij kërkon “përkushtim total”. Pas largimit nga Arsenali, topcinjtë angazhuan Unai Emery-në edhe pse një nga kandidatët e përfolur më së shumti ishte ish-mesfushori Patrick Vieira. Wenger i lavdëroi aftësitë e francezit duke thënë se ai ka cilësitë e duhura për t’u bërë një trajner i madh, por që “një trajner i madh është gjithashtu një njeri i fortë, sepse njerëzit nuk i shohin gjërat me thellësi, por vetëm trofetë dhe statistikat” – tha Wenger.